Filmi “Pikë Uji” (Waterdrop) nga regjisori Robert Budina nuk ndalet së shkruari histori të suksesshme në arenën ndërkombëtare të kinemasë!
Edhe pse një vit ka kaluar nga premiera ndërkombëtare në Warsaw International Film Festival, filmi vazhdon interpretimin e tij dominues me pjesëmarrje në më shumë se 30 festivale dhe duke u përzgjedhur zyrtarisht nga Shqipëria për Oscar 2025.
Këtë herë, Festivali prestigjioz i Alexandrisë në Egjipt i ka dhënë dy çmime të rëndësishme filmit:
Aktorja më e mirë – Gresa Pallaska
Skenari më i mirë – Waterdrop
Interpretimi hipnotik dhe i fuqishëm i Gresa Pallaskës ka prekur zemra dhe ka dëshmuar se arti jonë flet gjuhën universale të emocioneve njerëzore.
Skenaristët Robert Budina, Doruntina Basha dhe Ajola Daja i kanë dhënë filmit një dimension të thellë, ku çdo fjalë dhe skenë kalon përtej barrierave gjeografike dhe kulturore.
“Pikë Uji” është një bashkëprodhim ndërkombëtar mes shteteve: Shqipëri (Erafilm), Itali (Redibis Film), Rumani (Avanpost), Maqedoni e Veriut (Manufaktura) dhe Kosovë (Iliria Film). Prodhimi është mbështetur nga organizata të rëndësishme si Creative Europe, SEE Cinema Network dhe Qendrat Kombëtare të Kinematografisë në Shqipëri, Kosovë, Itali dhe Maqedoni.
Një falënderim i veçantë shkon për talentet kosovare Gresa Pallaska dhe Doruntina Basha, për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në suksesin e “Pikë Uji”.
Ky rrugëtim i jashtëzakonshëm tregon se kinemaja është mrekullia e bashkëpunimit ndërkombëtar, pa barriera dhe kufij.
Faleminderit të gjithë atyre që besuan dhe mbështetën këtë projekt unik!
Kinemaja shqiptare jeton dhe shkëlqen në arenën globale!