Filmi më i ri i regjizores Enxhi Rista, “Kolltuku”, do të shfaqet premierë më 22 tetor, ora 18:00, në Kinema Millennium, në një mbrëmje të dedikuar “In Memoriam Naun Shundi”. Ngjarja është e hapur për publikun dhe do të bashkojë artdashësit për të kujtuar aktorin e njohur Naun Shundi, duke festuar njëkohësisht dashurinë për filmin dhe miqësinë.
“Kolltuku”, prodhim i shtëpisë filmike Erafilm, ka si producente Sabina Kodrën dhe sjell në role emra të njohur si Zamira Kita, Naun Shundi, Niko Kanxheri, Romir Zalla, Desada Xhihani dhe Margent Caushi. Mbrëmja e premierës do të jetë një moment ku publiku do të ndajë emocione dhe kujtime, si dhe do të shijojë një film që pritet të lërë gjurmë të thella.
Ky aktivitet është një homazh për kontributin e Naun Shundit në artin skenik dhe kinematografinë shqiptare. Të pranishmit do të kenë mundësinë të përjetojnë një atmosferë të ngrohtë dhe të ndarë me komunitetin artistik.